Versioni maqedonas / Македонска верзија
Historia fillon me katërmbëdhjetë vjeçaren Amra e cila zgjedh të studiojë dizajnin e modës në mënyrë që të mund të arsimohet për karrierën e saj të ardhshme. Përqendrimi në zhvillimet kronologjike dhe stilistike në modë e ndihmon atë të gjejë konceptet e saj në dizajnimin e rrobave, por mungesa e njohurive praktike do të thotë se ajo nuk mund t’i përkthejë kurrë modelet në realitet. Kështu që ajo e zgjodh shkollën e saj të radhës, Institutin Ndërkombëtar ,,Izet Curi”, një institut i fokusuar kryesisht në teknikat tradicionale të qepjes, ku zhvillon aftësitë e saj të shablonimit dhe qepjes. Ajo është diplomuar në Institutin e Historisë së Artit në Fakultetin Filozofik në UKIM dhe e përdor këtë fushë si burim të vazhdueshëm frymëzimi. E shtyrë nga premisa se veshja i përgjigjet trupit, ajo fillon të krijojë veshje moderne, shumë funksionale të paraqitura nën etiketën “ARMA”, e themeluar në vitin 2016.
Intervistë me Amra Ismanin
Nikola Shindre: “Amra Ismani është historiane e diplomuar e artit dhe punon si kuratore në Galerinë Kombëtare. Publiku maqedonas, nga ana tjetër, e njeh atë si dizenjatoren e markës “ARMA”, e njohur për materialet e mëndafshta që përdor për të punuar, veshjet komode dhe qasjen intelektuale ndaj modës.
Studimi i artit nënkupton njohuri teorike, kujtesë historike në lidhje me zhvillimin e artit dhe njohuri nga praktika – domethënë nga mënyra se si arti mund të zbatohet. Ju keni një përvojë në të gjitha këto aspekte. Çfarë është ajo që ju sfidon më shumë të merreni me art në çfarëdo mënyre?”
Amra Ismani: ,,Moda më solli në botën e artit. Herë në rolin e Beatriçes, e herë në rolin e Virgjilit, ajo më udhëhiqte në “parajsën” dhe “ferrin” e artit. Studimi i historisë së artit në fillim ishte thjesht një burim shumë i pasur frymëzimi që më shërbeu në pjesën konceptuale të krijimit të veshjeve, por ajo shumë shpejt u bë një nga interesat e mia kryesore përveç modës.
Ndryshe nga moda, ku elementi më i rëndësishëm është rezultati përfundimtar, d.m.th. pjesa e veshjes që krijohet, teoria e artit më sfidon për faktin se zbulon “sekretet” që fshihen nën sipërfaqen e veprës artistike, nga kuptimi simbolik i formave, figurave dhe elementeve të përfaqësuara, për kushtet politike dhe sociale në të cilat u krijua vepra deri në gjendjen psikologjike dhe emocionale të artistit që e krijoi të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, në pjesën praktike të historisë së artit, ashtu si në modë, kuratori përfaqëson një ndërmjetës, puna e të cilit është një urë që lidh audiencën dhe artistin.
Është e vërtetë që moda nuk është art, ajo përfaqëson një mozaik kompleks të përbërë nga shumë kube, në qendër të cilit gjendet arti, pa të cilin nuk mund të ekzistojë. Ajo pjesë e vogël e artit në qendër të mozaikut të modës ishte mjaft e mjaftueshme për të më inkurajuar të eksploroja atë lidhje që lidh këto dy botë, botën aktive të krijimit të modës dhe botën soditëse që zbulon sekretet e fshehura nën sipërfaqe.”
N. Sh. Veshja është një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme të një personi. Pavarësisht se kush mundet dhe sa dëshiron, të gjithë shprehen në një farë mënyre përmes veshjeve. Dizajnerët shprehen përmes mjeshtërisë. Çfarë mendoni se është e rëndësishme që një veshje të quhet e bukur?
A. I. It is only shallow people who do not judge by appearances / Dhe Vetëm njerëzit e cekët nuk gjykojnë nga pamja, thotë Oscar Wilde. Nuk jam plotësisht dakord, por fakti është se veshjet janë një lloj gjuhe joverbale përmes së cilës, me vetëdije apo pa vetëdije, shprehemi dhe komunikojmë me të tjerët rreth nesh. Dizajnerët, njëlloj si artistët, shprehin pikëpamjet e tyre personale duke krijuar një vepër përmes së cilës i përcjellin audiencës një mesazh të caktuar, i cili është rezultat i kërkimit të tyre të pafund për të bukurën.
Mendoj se e bukura është një shije subjektive, por në të njëjtën kohë mendoj se janë disa elemente objektive që janë karakteristike për një veshje ,,të bukur”, të cilat i referohen mbi të gjitha performancës teknike të saj. Duke ditur që shija është subjektive, do të lë mënjanë elementin estetik të veshjes (për momentin) dhe do të them që një veshje e bukur duhet të jetë e ndërtuar në mënyrë perfekte, e punuar me material cilësor, e qepur saktësisht dhe sigurisht, (edhe pse kjo pikë nuk lidhet drejtpërdrejt me pamjen, pjesë e dukshme e veshjes) ajo duhet të krijohet në kushte të drejta dhe etike.
N. Sh. Një aspekt tjetër i veshjeve sot është konsumizmi. Blerja e vazhdueshme e rrobave të reja dhe me cilësi të ulët krijon deponi tepër të mëdha në të gjithë botën. Si të zgjidhni veshjen më të bukur në mënyrë që një mashkull ta mbajë më gjatë dhe të duket më mirë?
A. I. Blerja e tepërt e rrobave është rezultat i tendencave “të shpejta” sezonale që “detyrojnë” konsumatorët të blejnë veshje të reja çdo muaj, të cilat pas një periudhe të shkurtër ose do të shkatërrohen (për shkak të cilësisë së dobët) ose do të duhet të zëvendësohen me një veshje të re, nga trendi i ri. Në fakt, këto tendenca të përkohshme të modës janë pjesa më e rrezikshme e modës së shpejtë, e cila ndikon negativisht, jo vetëm në mjedisin tonë jetësor, por edhe tek njerëzit, veçanërisht ata që janë të përfshirë në procesin e prodhimit të këtyre pjesëve të veshjeve.
Pikërisht për këto arsye lind slow-fashion moda e ngadaltë, ose moda e qëndrueshme, qëllimi i së cilës është krijimi i veshjeve të përjetshme që ekzistojnë jashtë tendencave aktuale dhe të krijuara nga materiale natyrore që nuk janë të dëmshme për mjedisin. Për të reduktuar efektin shkatërrues të modës, dizajnerët janë të detyruar të krijojnë modë të qëndrueshme, ndërsa nga ana tjetër, konsumatorët duhet të dëgjojnë këshillën e Westwood: Buy less, choose well, make it last / Blini më pak, zgjidhni mirë, bëjeni të qëndrueshme.
Krahas elementeve që përmenda në përgjigjen e mëparshme, si karakteristika e një cope veshjeje të bukur, (duke trajtuar vetëm rrobat në formë të izoluar) mendoj se bukuria e veshjes në jetën reale qëndron edhe në marrëdhënien e saj me bartësin, d.m.th. me personin që e vesh atë. Nga kjo mund të merret edhe përgjigja e pyetjes se si të zgjidhni veshjen më të bukur. Mendoj se rrobat nuk janë vetëm element dekorativ, prandaj, për mendimin tim, veshja më e bukur është ajo që përfaqëson mendimet dhe qëndrimet e personit që e vesh, pra rrobat që i përshtaten karakterit të tij dhe stilit të tij të jetës
N. Sh. Veshjet popullore nga Ballkani pas Luftës së Dytë Botërore u hodhën shpejt jashtë përdorimit të përditshëm dhe sot ato mund të shihen si ekspozita, dhe shumë rrallë si veshje që vesh dikush. Si ndikoi ky pushim në mënyrën e të veshurit?
A. I. Siç e dimë, ndryshimet politike dhe shoqërore janë pasqyruar dhe ndikuar qartë në artin dhe modën e një periudhe të caktuar. Prandaj, ndryshimet në botën e modës janë shpesh një reagim ndaj ndryshimeve të caktuara shoqërore në një vend dhe kohë të caktuar. Periudha e Luftës së Parë Botërore ndryshoi rolet e grave në shoqëri, gjë që çoi në nevojën për një lloj tjetër mode. Kur burrat u larguan për të luftuar në front, gratë morën punët e tyre në fabrika, zyra dhe ferma. Prandaj edhe veshja e femrave në atë periudhë thjeshtohet dhe bëhet më praktike.
Nga ana tjetër, si reagim ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, në skenën e artit u shfaq ekspresionizmi abstrakt, i cili bazohet në krijimin e artit të frymëzuar nga simbolet arkaike universale që rezonojnë me të gjithë shoqërinë (njerëzimin/humanity).
Kjo nevojë për të zbuluar elementë universalë që bashkojnë të gjithë shoqërinë së bashku me ndryshimet shoqërore do të çojë në dëbimin e veshjeve tradicionale nga përditshmëria, dhe pranimin e “modës perëndimore” jo vetëm në Ballkan, por edhe në vendet lindore si Japonia.
Megjithatë, veshja tradicionale është një burim i pasur frymëzimi që mund të përdoret për të krijuar veshje bashkëkohore. Elementi ekologjik i pranishëm në procesin e prodhimit të veshjeve tradicionale është veçanërisht i rëndësishëm, materialet natyrore, pigmentet natyrale të përdorura në procesin e ngjyrosjes së tyre dhe sigurisht përpunimi i tyre me dorë, të cilat nevojiten për të krijuar një veshje moderne sipas parimeve të modës të qëndrueshme.
N. Sh. Tek popullata e re vihet re një braktisje e asaj që quhet veshje konvencionale, ndaj shihen shpesh lloje të ndryshme flokësh, veshjesh, këpucësh… Si do të zhvillohet veshja për nga praktika dhe bukuria në të ardhmen tek ne?
A. I. Drejtimi në të cilin do të zhvillohet prakticiteti dhe bukuria e veshjeve varet nga shumë faktorë të jashtëm që janë kryesisht të paparashikueshëm. Edhe pse në botën e tendencave “e ardhmja” është gjithmonë e parashikueshme, i njëjti rregull nuk vlen për botën reale. Por mund të themi se rritja e stilit “jo konvencional”, si rezultat i shijes subjektive të popullatës së re, që pranon vetëm pjesërisht trendet aktuale, nuk çon në një të ardhme në të cilën mbizotëron shprehja e stilit individual. Duket se për të rinjtë veshja nuk ka vetëm një funksion utilitar, por është një mjet shprehës përmes të cilit ata shprehin qëndrimet e tyre personale dhe definicionin e bukurisë.
N. Sh. Të merresh me artin, kulturën dhe dizajnin është e vështirë në vendet ku njerëzit nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të ndarë kohë, burime financiare dhe energji për këto qëllime. Por Amra, si është të punosh në këto aktivitete me gjithë pengesat?
A. I. Khalil Gibran thotë se bukuria nuk është nevojë, por një ekstazë, dhe unë mendoj se përkundër të gjitha kushteve dhe pengesave të vështira, njerëzit gjithmonë do të gjejnë kohë për ta përjetuar atë ekstazë dhe për të ikur nga realiteti.
Për mua, si krijuese, bukuria është në procesin e krijimit të një cope rrobë dhe është ekstaza ime nga e cila nuk do të doja të hiqja dorë, pavarësisht nga të gjitha pengesat. Por përtej qëndrimit tim “romantizues” ndaj procesit krijues, ndjesia është veçanërisht e kënaqshme kur një ide përkthehet në realitet, në një veshje që bëhet pjesë e jetës së njeriut dhe i shërben asaj.
N. Sh. Së fundi, çfarë do t’u rekomandonit stilistëve të rinj që duan të shprehin veten dhe të kontribuojnë në bukurinë e atyre që duan të blejnë një veshje nga linja e tyre e modës?
A. I. Nëse veshjet që i krijojnë, i trajtojnë si mjet shprehës, atëherë duhet të krijojnë gjuhën e tyre vizuale me të cilën do ta arrijnë atë qëllim. Mënyra e vetme për të krijuar atë qasje personale është përmes studimit të stileve të tjera ekzistuese, domethënë përmes studimit të historisë së modës dhe qasjeve dalluese të stilistëve të rëndësishëm të modës. Veshja përveç natyrës shprehëse është ende një objekt utilitar, i cili duhet të jetë funksional dhe praktik, ndaj janë të nevojshme edhe studimi i modelimit dhe rrobaqepësisë. Modelimi do t’i ndihmojë ata të vendosin kufijtë midis të mundshmes dhe të pamundurës, kufij që drejtojnë edhe vetë procesin krijues.
Siç e kemi përmendur tashmë, bukuria e rrobave varet nga disa faktorë: prerja e saj, materiali i përdorur dhe sa saktë është qepur. Por bukuria e personit që e vesh nuk varet nga ajo veshje, por nga sa i përshtatet karakterit të tij. Nëse dikush tashmë ka vendosur të blejë një veshje nga koleksioni i dikujt, kjo do të thotë se ajo pjesë e veshjes përputhet me përkufizimin e tyre për të bukurën dhe tashmë ka harmoni mes asaj veshjeje dhe personit që dëshiron ta veshë atë. I vetmi hap që duhet të ndërmarrë stilisti në atë rast, për të arritur harmoninë absolute është të modifikojë veshjen sipas strukturës së trupit të atij që e vesh.
Më poshtë mund të shihni disa nga pjesët nga koleksionet e markës ARMA të Amra Ismanit.
Lekturoi: E. M.
Përktheu: E. M.