домаИнтервјуGordana Petrevska për bibliotekat dhe lexuesit

Gordana Petrevska për bibliotekat dhe lexuesit

Портрет на Гордана Петревска
Портрет на Гордана Петревска

Intervistë me Gordana Petrevska

Gordana Petrevska ka lindur në vitin 1961 në fshatin Trsino të Vinicës. Ajo ka mbaruar studimet ndërdisiplinore për gazetari në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Është autor i librave si vijon: “Bija e diellit” (2002), “Në mbrojtje të kujtesës” (2013) dhe dy monografi. Si gazetare ka bashkëpunuar me gazetat “Veçer”, “Nova Makedonija”, “Trudbenik” dhe revistën “Revija za vashiot dom”. Shkrimet e saj i botoi edhe në “Akt”, “Sintezi”, “Stozher”, “Sovremenost” dhe në “Biblioteçen Stozher”. Gordana Petrevska punon si bibliotekare në departamentin shkencor në Bibliotekën e qytetit “Braqa Miladinovci” – Shkup.

Gordana Petrevska

Intervistë me Gordana Petrevska

Nikolla Shindre: “Gordana Petrevska është bibliotekare në departamentin shkencor. Lexuesit thonë se njohuritë dhe saktësia e saj mund t’ju çojnë drejt raftit ku është libri që duhet të lexoni. Ata që merren me shkencat humane tek ajo gjejnë  një bashkëbisedues për atë që do të duhet të e mendojnë (punojnë).

Bibliotekat kanë qenë gjithmonë një prestigj për një shoqëri. Bibliotekat mund të jenë ndërtuar të gjitha menjëherë, por fondet e bibliotekave plotësohen me kalimin e kohës. Cila është tradita e bibliotekave në Maqedoni?”

Gordana Petrevska: “Fillimet e bibliotekarisë moderne maqedonase janë pas vitit 1945. Në atë periudhë biblioteka hapen kudo: në qytete e fshatra, në shkolla, në organizata të punës, u pasuruan fondet e bibliotekave, u rrit numri i lexuesve dhe i librave të botuar dhe popullsia u shkollua masivisht. Ndërsa bibliotekarët, çirakë, nuk kanë arsim, por kanë entuziazëm për punë dhe arrijnë rezultate që sot nuk i kemi. Është koha e ngritjes. Libri atëherë është një gjë e rrallë e çmuar, dhe bëhet gjithçka për të arritur te të gjithë ata që kanë nevojë për të. Kështu është deri në vitet 80-ta të shekullit të kaluar, kur ngec, saqë në vitet 90-ta zbret, ulen fondet e bibliotekës – mënjanen librat e amortizuar dhe nuk blihen të rinj. Gjatë kësaj periudhe mbyllen edhe disa biblioteka. Blerja e parë e organizuar e koleksionit të librave për bibliotekat në Maqedoni është bërë menjëherë pas çlirimit, nga shteti përmes NOO-së. Në të njëjtën kohë, një pjesë e librave u grumbulluan në aksionin për mbledhjen e librave nga qytetarët, ndërsa një pjesë u mor pas një përzgjedhjeje të mëparshme, të literaturës së regjimit, nga bibliotekat e paraluftës – leximoret. Dhe 82 bibliotekat e para të pasluftës, filluan punën e tyre me një fond modest librash prej 230.000 librash. Biblioteka e jonë e fillon aktivitetin e saj me një fond fillestar librash prej 3500 librave dhe 15 tituj revistash.

N. Sh. Bibliotekat në një farë mënyre ruajnë njohuritë, informacionin, por edhe fjalët, gjuhën, dhe për këtë, nga ana tjetër, nevojitet bashkëpunim i ndërsjellë midis ruajtësit dhe zbuluesit. Si bibliotekare, si të ju ndihmohet atyreve që ende enden mes rafteve të bibliotekës?

G. P. Profesioni ynë është altruist, ka një mision fisnik – të përhapë dijen dhe në këtë mënyrë të kontribuojë për zhvillimin personal të individit dhe shoqërisë. Kur punohet me dashuri, rezultatet nuk mungojnë. Dimensioni subjektiv është një pjesë shumë e rëndësishme e veprës, duhet njohur dhe dashur. Varet nga cilësia e bibliotekarit, nga dëshira dhe aftësia e tij për t’iu përgjigjur nevojave të lexuesit, për të nxitur dhe zhvilluar dëshirën e tij për të lexuar – nëse ai do ta mbajë atë si lexues. Rezultatet e punës sonë nuk vlerësohen përmes treguesve financiarë, por përmes numrit të lexuesve dhe librave të botuar, përmes asaj se sa kemi arritur t’u përgjigjemi nevojave të lexuesve, sa kemi ngritur nivelin kulturor dhe arsimor të qytetarëve tanë.

Në departamentin shkencor, lexuesit zakonisht vijnë me një temë specifike. Rrallë me autor dhe titull. Dhe, para së gjithash, duhet të gjesh problemin, zonën shkencore të cilës i përket, sepse mund të konsiderohet nga aspekte të ndryshme, dhe më pas është e nevojshme të shfletosh faqet, sepse titulli i librit nuk thotë gjithçka për përmbajtjen e tij. . Kontakti i drejtpërdrejtë me librin nuk duhet të nënvlerësohet dhe të neglizhohet as nga lexuesi, dhe as nga bibliotekari. Dhe e bukura e profesionit tonë është pikërisht kjo: duke hulumtuar për lexuesin, ne mësojmë dhe rritemi vetë. Lexuesit e rregullt nuk janë të vështirë për t’u ndihmuar, ne e dimë shijen e tyre, herë ata zgjedhin, herë të tjera sugjerojmë ne. Më e vështirë është me “të rinjtë”, interesi i të cilëve duhet “ndjerë”. Jam edhe më e lumtur se lexuesi kur “gërmoj” diçka që është e vështirë të gjendet. Ai duhet të largohet nga biblioteka i kënaqur për t’u kthyer përsëri tek ne.

N. Sh. Ju punoni në një sektor shkencor dhe kjo nënkupton që numri i përdoruesve është më i vogël, por ekspertiza duhet të jetë më e madhe. Një bibliotekar nuk është i gjithëdijshëm, por ai duhet të ketë një gamë të gjerë njohurish. Si duhet të përballet një bibliotekar me këto sfida?

G. P. Po, krahasuar me sektorin e letërsisë artistike, numri i lexuesve dhe i librave të botuar në sektorin shkencor është më i vogël, por është shumë domethënës, sepse shërbimi në të ka peshën e vet, ndryshe nga sektorët e tjera. Dhe, po, njohuri dhe kuriozitet më i gjerë, janë të nevojshme. Nuk është e mundur t’i jepet një përgjigje cilësore detyrës nëse nuk lexohet. Bibliotekari që punon në shërbimin e huazimit, drejtpërdrejtë me lexuesit, mban barrën më të madhe dhe përgjegjësinë më të madhe për suksesin e bibliotekës. Ai është fytyra dhe shpirti i bibliotekës, është në kontakt të përditshëm me qytetarë të profileve të ndryshme për nga mosha, përkatësia sociale, intelektuale, etnike. Në të njëjtën kohë, ai përfaqëson bibliotekën përpara të gjithëve, dhe nuk duhet të tregojë injorancë, lexuesi duhet të largohet me bindjen se ka marrë një shërbim cilësor, dhe të njohë autoritetin tek ai.

N. Sh. Sot, një pjesë e madhe e literaturës gjendet në internet, por literatura në gjuhën maqedonase përgjithësisht gjendet në librari dhe biblioteka. Si i disponojnë bibliotekat titujt e rinj?

G. P. Ne kurrë nuk mund të kemi mjaft libra. Kemi gjithmonë nevojë për tituj të rinj. Përvoja tregon se çfarë mund të kërkojnë lexuesit. Dhe, natyrisht, ne nuk mund të monitorojmë prodhimin botues në tërësi. Por me një strategji të mirë, me një politikë prokurimi të mirëmenduar, nevojave të lexuesve mund t’u përgjigjet deri diku. Në të njëjtën kohë, si institucion me interes publik, ne nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqemi nga parimi “kërkohet”. Ne formojmë shijen e qytetarëve dhe duhet të udhëhiqemi nga kriteret e cilësisë, për të prokuruar tituj cilësorë dhe për t’iu përgjigjur nevojave të të gjitha kategorive të lexuesve. Sipas Mile Bosheskit, vetëm 5% e prodhimit botues hyn në bibliotekat publike. Pjesa tjetër përfundon në bibliotekat familjare. Në bibliotekën tonë, zakonisht në fillim të vitit shkollor, blihen vetëm botimet e lektyrave dhe më pas dy-tri herë blihen vepra artistike. Këtu diçka do të “rrëshqasë” pak për sektorin shkencor, që është larg nevojave. Apeloj që të fitohen tituj për fëmijët jashtë botimeve të lektyrave, interesant për atë moshë, për t’i “joshur” si lexues. Shprehia e të lexuarit është një proces i gjatë dhe krijohet në fëmijëri.

N. Sh. Njeriu sot qëndron mes letrës dhe tabletës. Paradoksi mund të qëndrojë në faktin se librat dixhitalë shfletohen shpejt, por librat prej letre lexohen më mirë. Çfarë këshille mund t’u jepni atyre që kanë pak dëshirë, por nuk kanë vendosur ende të fillojnë të lexojnë?

G. P. Të fillojnë të lexojnë. Jo çdo gjë, por libra cilësorë, sepse vetëm dituria e marrë në atë mënyrë është më e përhershme dhe më e besueshme. Koha para nesh sjell ndryshime dhe sprova të mëdha. Njeriut, për të mbijetuar dhe për të pasur sukses, i duhet një arsimim i gjerë, jo vetëm një specialitet i ngushtë. Fatkeqësisht, sot për shumicën e njerëzve burimi bazë i njohurive është informacioni audiovizual. Interneti po bëhet mjeti dominues i komunikimit, informacionit dhe përvetësimit të diturive. Masmediat moderne ofrojnë përfitime të mëdha: informacioni elektronik është më i shpejtë, më i lehtë për t’u transferuar dhe më i lirë; ai mund të përdoret në të njëjtën kohë kudo në botë, nga shumë njerëz në të njëjtën kohë, lehtëson aksesin në njohuri, etj. Por mjetet e reja të komunikimit kanë edhe anët negative, të cilat në pamje të parë janë të vështira për t’u vënë re. Roli i tyre reduktohet në argëtim, jo ​​për të na informuar objektivisht. Interneti, si mjeti kryesor i komunikimit në rendin e ri shoqëror, është i destinuar për masat. Informacioni cilësor, është e vështirë për t’u gjetur në internet, ai është i fshehur ose i padisponueshëm. Shpejtësia me të cilën transmetohet informacioni, rrjeti, interaktiviteti, karakteri global i këtyre mjeteve krahasohen me një bombë informacioni. Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu për potencialin shkatërrues të këtyre shërbimeve, i cili do të prekte, dhe tashmë prek të gjithë përdoruesit e tyre.

Fjala e shkruar është lënë pas dore dhe e rrezikuar. Ndërsa informacioni audiovizual nuk është thelbësor për kulturën dhe jetën. Përmbajtjet audio dhe video (dez)informojnë, nuk japin thellësi, fuqi analitike, por merren mekanikisht dhe nuk çojnë në njohuri. Në të kundërtën, leximi aktivizon të gjithë procesin e të menduarit. Përparësitë e librit tradicional të shtypur ndaj formës elektronike janë të shumta, dhe nuk duhen braktisur lehtë.

N. Sh. Disa nga titujt e vjetër jo vetëm që nuk do të shohin botime të reja, por edhe mund të harrohen, siç është shembulli me shkrimet e Aristotelit. Cili është roli i bibliotekarit në këtë kujtesë kolektive?

G. P. Vendimtare. Ne bibliotekarët kemi për detyrë të ruajmë dituritë e regjistruara për brezat e ardhshëm. E ardhmja e individit, e bibliotekës dhe e shoqërisë varet nga ndërgjegjja dhe vetëdija jonë për kuptimin e librit. Nëse më herët në botë luftimet bëheshin për pushtimin e territoreve dhe lëndëve të para, tani ato bëhen për dijen dhe informacionet, dhe për kontrollin e tyre. Dija është një faktor vendimtar në zhvillim dhe në marrjen e pushtetit dhe prestigjit. Zhvillimi i një vendi dhe mbijetesa e tij, do të varet nga ajo se,  sa memorie ruan dhe sa ajo do të jetë në dispozicion. Arsimi në të ardhmen do të varet nga sasia e diturive të memorizuara dhe disponueshmëria e saj për të gjithë. Do të dijë ai që do të mund të investojnë në dituri dhe ai që  do të ketë akses në të.

Ekzistojnë disa teknika për ruajtjen e materialit bibliotekar. Një nga mënyrat për të ruajtur literaturën nga ky segment është përdorimi i tij në dhomat e leximit. Dhe unë insistoj për këtë. Ndaj lexuesit më perceptojnë si “të rreptë”. Ndodh shpesh që lexuesit të “harrojnë” të kthejnë librat e huazuara. Dhe biblioteka ka dalje titujsh mbi këtë bazë.

N. Sh. Bibliotekaria, si disiplinat e tjera humaniste, sot nuk vlerësohet shumë. Çfarë duhet të dihet për këtë degë të rëndësishme të sektorit arsimor dhe shkencor, në çdo shoqëri?

G. P. Po, pozita e bibliotekës, është lëkundur vitet e fundit, edhe pse ajo është ende institucioni kulturor më popullar dhe më i vizituar. Kultura e të lexuarit është në rënie. Dhe e ardhmja e njeriut dhe e shoqërisë varet nga ajo se sa lexojnë qytetarët. Standardi i zhvillimit kulturor të një vendi është numri i lexuesve i shprehur me numrin e anëtarëve në bibliotekë. Ne, nga ana tjetër, si individë dhe si shoqëri, duket se nuk jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e dijes.

Futja e fëmijës në botën e librit, dhe zhvillimi i dashurisë për të, është gjëja më e mirë që mund të bëhet për të, dhe për shoqërinë. Fëmija, në atë periudhë,  nuk e di se çfarë është më e mira për të, ndaj duhet të udhëzohet, të mësojë se leximi është kënaqësi dhe se bëhet shprehi dhe nevojë. Nga mënyra se si do të futet në atë botë, varet qëndrimi i tij i mëtejshëm ndaj librit dhe leximit, dhe, në këtë mënyrë, përcaktohet rruga e tij e jetës. Insistimi i pamjaftueshëm për literaturë shtesë tek studentët reflektohet negativisht në disa mënyra. Jo vetëm që nuk krijohet zakoni i të lexuarit, por ndikon keq edhe në arsimim, ka boshllëqe në njohuri, të cilat vështirë plotësohen më pas. Përveç kësaj, ai që e fiton atë shprehi në fëmijëri mund të arsimojë veten. Epo, këtë dua t’i kujtoj arsimit.

Biblioteka ka një rëndësi të madhe për arsimin e njeriut gjatë gjithë jetës së tij. Teksti shkollor nuk mjafton më. Marrja e një diplome, nuk duhet të nënkuptojë fundin e arsimit. Sot, dija bëhet shpejt e vjetëruar, dhe kushdo që dëshiron të mbijetojë dhe të ketë sukses, do të duhet të arsimohet vazhdimisht, për pjesën tjetër të jetës së tij. Biblioteka është një vend i domosdoshëm në atë rrugë. Këtu dialogohet me mendjet më të mëdha të njerëzimit, çdo pyetje merr përgjigje, është burim dijeje dhe kulture e përgjithshme, është një vend ku mblidhet kujtesa, urtësia dhe përvoja e njerëzimit nga kohërat e lashta e deri më sot, dhe këtu, çdokush mund të përdor të mirat e arritjeve kulturore pa asnjë diskriminim. Duhet vetëm një dëshirë: të dish. Për më tepër, sot, kur kemi një prodhim të madh të dezinformatave, është shumë e rëndësishme të marrim informacion cilësor, dhe në kohë. Biblioteka është vendi i duhur për këtë.

Nuk e di sa ia kam dalë t’i përgjigjem detyrës që më vendose më parë. Tema me të cilën trajtoni është shumë serioze dhe meriton përgjigje më të gjera, ndërsa hapësira kaq lejon. Unë  në këtë temë punoj që nga viti 2018. Punën po e çoj deri në fund. Shpresoj që vitin e ardhshëm “Hegeli ka vdekur” do ta shohë ditën e ditës.

Lekturoi: E. M.

Përktheu E. M.

RELATED ARTICLES