домаИнтервјуAleksandar Popovski për pedagogjinë e artit

Aleksandar Popovski për pedagogjinë e artit

Фотографија на Александар Поповски од Љупчо Машлак
Фотографија на Александар Поповски од Љупчо Машлак

Portreti i Aleksandar Popovskit nga Ljupço Mashlak

Intervistë me Aleksandar Popovskin

Aleksandar Popovski ka lindur në vitin 1969 në Manastir. Ai u diplomua në FSHA në Shkup në vitin 1996, në degën e grafikës me dizajn grafik. Në vitet e nëntëdhjeta  është marrë  me grafikë, kur edhe kishte një ekspozitë solo dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita grupore. Që atëherë është marrë edhe me strip, muzikë dhe me ilustrim të librave e revistave, kryesisht për fëmijë, të cilat janë botuar brenda dhe jashtë vendit. Ai gjithashtu ka prodhuar disa postera dhe kopertina teatrore për bartës të zërit (Foltin, Ljubojna, Pijan Slavej…). Vitet e fundit merret me pikturë, kryesisht me bojëra uji. Dhe në këtë fushë ka një ekspozitë të pavarur dhe disa grupore në Maqedoni dhe jashtë saj. Është Fitues i Çmimit të Nëntorit të SHAAB. Nga viti 1996 është arsimtari rregullt i arteve figurative në gjimnazin “Josip Broz-Tito” në Manastir.

Nikolla Shindre: “Aleksandar Popovski është arsimtar i arteve figurative në gjimnazin “Josip Broz – Tito në Manastir”. Përmes përvojës së tij si pedagog i artit, ai u është ndodhur shumë nxënësve nga Manastiri të cilët dëshironin të aplikonin në akademitë e artit, në mënyrë që të mund të merren më mirë me art në të ardhmen. Shpesh mund ta shihni në ekspozita në galeritë e Manastirit së bashku me nxënësit e tij – artistët të ardhshëm.

Profesioni i arsimtarit është një veprimtari fisnike, detyra dhe qëllimi kryesor i të cilit është të inkurajojë një person të rritet në një njeri të vërtetë. Përveç kësaj, synim veçanërisht i rëndësishëm është që nxënësi të fitojë njohuri, një lloj praktike mësimore dhe disa aftësi krijuese. Cili është roli i atij, i cili duhet të përcjellë artin e krijimit – arsimtarit të artit?”.

Aleksandar Popovski: “Në fillim duhet të vërejë dëshirën e nxënësit për artin, për krijimtarinë dhe pastaj ta nxisë atë. Unë punoj në një shkollë të mesme, jo në një shkollë artistike profesionale, që do të thotë se nxënësit vijnë me interesa të ndryshme. Pra, me kalimin e kohës, disi rezulton se kam dy grupe – krijues dhe artdashës. Përveç rëndësisë së krijimit të një artisti, është gjithashtu e rëndësishme të kesh një audiencë për veprën artistike. Dua t’ua afroj bukuritë e shprehjes vizuale.”

N. Sh. Entuziazmin për artin disa e kërkonin në natyrën hyjnore të vetë veprës së artit dhe të tjerë në shpirtëroren e artistit. Sot, vetë krijimi konsiderohet si pjesë e veprës. Cila duhet të jetë qasja pedagogjike me nxënësit të cilët në të ardhmen duhet t’i mësojnë këto dallime në mënyrë që të njohin më lehtë aftësitë dhe mundësitë e tyre?

A. P. Nuk mendoj se ka dallime – pa artist nuk ka as vepër. Dhe nëse këtë e shikoni në një kontekst tjetër, ose në një nivel tjetër, atëherë krijuesi (dhe procesi i krijimit) do të ishte një medium përmes të cilit materializohet një mendim, shpirt, krijim i caktuar. Ai që krijon duhet të njohë mirë materialet dhe mjetet me të cilat punon dhe të jetë “në formë”, për ta thënë në mënyrë sportive, në formë shpirtërore. Momenti krijues, kur vjen, nuk duhet humbur. Epo, tani si vijnë idetë, nuk ka formulë për këtë, kjo është një histori tjetër…

N. Sh. Pikturimi, vizatimi, praktika shkollore për linocut, grafika… për disa përfaqëson një vështirësi, për disa një moment emocionues, por pothuajse për të gjithë një pasqyrim miqësie. Ato aktivitete, pavarësisht kriterit të paracaktuar, lejojnë t’i shijoni ato. Si, dhe sa e mundësojnë programet mësimore këtë miqësi?

A. P. E thënë bukur dhe e vërtetë për gjimnazistët. Për nga natyra e tij, procesi artistik-krijues është kryesisht një punë e vetmuar, por në rastin e punës në grup, bëhet një moment interesant i miqësisë dhe zgjidhjes së problemeve së bashku, qofshin ato vizuale apo materiale. Programet mësimore e bëjnë të mundur këtë, aq sa ka orë dhe aktivitete jashtëshkollore.

N. Sh. Në shkencat vlerësohet saktësia, përkushtimi dhe veçanërisht disiplina, ndërsa në art kërkohet edhe frymëzimi. Ndonjëherë, duke kërkuar frymëzim, njeriu harron të mësojë dhe praktikojë teknikën. Si pedagog i arti, si e përcillni rëndësinë e vetë disiplinës tek artistët e ardhshëm?

A. P. Oh, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. E dini, idetë vijnë pa paralajmërim, por ato gjithashtu ashtu edhe shkojnë. Këtë e them nga përvoja personale. Ne jemi pak të rrëmbyer me përrallat, sidomos ato për artistët e shekullit të 19-të, të 20-të, në të cilat ata janë përshkruar si spontanë, të egër, energjikë… Pra, jeta e tyre e trazuar e të ngjashme. Po, përralla shet, por të mos zhgënjehemi – vetë disiplina është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kur dëgjoj apo lexoj se një artist “jetoi energjik dhe me rrëmujë” dhe krijoi vepra që kërkojnë tre jetë, këtu diçka nuk “ndihet” mirë. Puna kërkon përkushtim dhe fokus. Fatkeqësisht, mendoj se rinia moderne, dhe jo vetëm të rinjtë, dalëngadalë po e humbin fokusin, hapësira e vëmendjes po shkurtohet gjithnjë e më shumë.

N. Sh. Kreativiteti dhe praktika ofrojnë një bazë të mirë për të qenë një mjeshtër i mirë, por arti është më shumë se kaq, veçanërisht në epokën e artit konceptual dhe abstrakt. Sot askush nuk thotë se i pëlqen shumë të lexojë libra. Si mund të kontribuojë pedagogjia e artit në këtë problem?

A. P. E parë nga këndvështrimi i sotëm, arti mund të jetë çdo gjë, por nga ana tjetër, edhe nuk mund të jetë. Shumë gjëra “kalojnë” si art. Kam lexuar diku se artisti modern nuk është aq shumë zejtar, por promovues, gjë që është e vërtetë. Personalisht, mjeshtërinë e zanatit nuk e konsideroj as për minus dhe as për fyerje. Nga këtu duhet të fillohet, nuk mund të jesh artist pa pasur të paktën disa njohuri bazë për të punuar me materialet dhe mjetet që i përdor. Në këtë konsiston edukimi i arsimtarit, ajo pjesë e mësimdhënies është mjaft e qartë, këtu nuk ka shumë filozofim, materialet janë konkrete, nuk është si kur diskutojmë për shije, estetikë, komunikim të veprës etj…. Në botën moderne, marketingu është bërë pjesë e pandashme e profesionit, duke shkuar deri në agresion të papëlqyeshëm, vetëm për të marrë vëmendjen e dëshiruar.

N. Sh. Arsimi çdo vit varfërohet, si me burime financiare, me staf dhe më e rëndësishmja – me nxënës. Megjithatë, norma e interesit nuk ka gjasa të ndryshojë në mënyrë drastike. Si të motivohen nxënësit në një atmosferë në rënie?

A. P. Është e vërtetë që përqindja e interesit nuk ndryshon shumë. Minimumi që duhet të japë një arsimtar është, të paktën të mos e demotivojë nxënësin. Motivimi varet nga të dyja palët – si nga arsimtari ashtu edhe nga nxënësi. Sigurisht që faktor janë edhe kushtet që ofron shteti, por sot janë shumë artistë që punojnë për audiencë të huaj, madje disa prej tyre sigurojnë jetesën prej saj. E dini, kush ka filluar të interesohet për artin figurativ, ai e bën atë nga dashuria dhe këtu tashmë është lehtësuar problemi i motivimit.

N. Sh. Së fundi, teoria e lojës si art mund të mos jetë e mundur, por është më e bukura për t’u pranuar. Si të luhet në mënyrë që të mësohet diçka?

A. P. Loja ka rol të madh në krijimin. Për të luajtur duhet të ruash një pjesë të shpirtit të fëmijës, freskinë e mendimeve, pastërtinë, madje edhe naivitetin. Nuk është e thjeshtë, sot të gjithë duam të jemi seriozë (ndoshta, për t’u marrë seriozisht) dhe harrojmë shpejt të relaksohemi dhe të kënaqemi me lojën. Epo, shikoni vetëm veprat e artit – në shumë prej tyre ndjehet se autorët “janë humb në lojë”, madje u ka qenë argëtuese gjatë realizimit të tyre, ajo nuk mund të fshihet, ajo duket në vepër… Të luash një person, ka mënyra të ndryshme – ndonjëherë është tema (përmbajtja) e veprës, ndonjëherë atmosfera në të cilën punohet, ose përsëri, ndonjë mjet i ri me të cilin punon, një material i ri që duhet provuar. Është bukur kur njeriu herë pas here mund të gjejë një lloj “fëmije”, siç do të thoshim ne, që do të “luajë” me të, dhe me të cilin procesi krijues bëhet më interesant dhe intensiv.

Më poshtë mund të shihni fotografi të disa prej punimeve të Aleksandër Popovskit.

Lekturoi: E. M.

Përktheu E. M.

RELATED ARTICLES